Transmetuar më 03-09-2021, 19:01

Tek sheshi "Shqiponja" është hapur sot edhe tuneli i pestë i cili është ndër veprat e fundit në punimet për Unazën e Re. Brenda vitit pritet që e gjithë zona të hapet për automjetet.

Ministria e Infrastrukturës ka informuar qytetarët se si do të bëhet kalimi përmes tuneleve.

Qytetarët të jenë të kujdesshëm në hyrjen nëpër tunele. Tuneli nr 5 është ardhja nga Durrësi për të shkuar në zonën Astir dhe shkon drejt Lanës.

Ndërsa Tuneli 3 është për ata që vijnë nga Durrësi për të shkuar në Astir dhe për të marrë kthesën që të futen në këtë zonë. Tuneli 3 merr trafikun nga Astiri për ta çuar në Autostradë.

Ndërsa tunelet numër 2 dhe 4 janë akset për në Tiranë-Durrës.

Së afërmi do të hapen platformat që kalojnë mbi tunele, në nivelin 0 për të çuar njerëzit nga Tirana në Durrës ose nga Durrësi në Tiranë. Do të ketë edhe lulishte dhe rrugë për këmbësorë.

Aktualisht ka mbetur vetëm seksioni i parë i tunelit 1 që kalon nga Astiri në Unazën e re. Do të duhen 10 ditë për strukturimin dhe më pas 7 ditë për pajisjen me drita.

Edhe pse po bëhet ky investim, shumë njerëz mendojnë se dukuria e hinkës do të vazhdojë të shqetësojë drejtuesit e mjeteve, sepse, ndërsa do të gjenden në një hapësirë të gjerë te sheshi Shqiponja, do të duhet më pas të futen në rrugët qytetëse të ngushta dhe me një ose 2 kursi kalimi.

Më problematike shfaqet futja në Unazën e Tiranës, rrugën e Durrësit dhe pjesën që të çon tek 21 dhjetori. Rrugët janë me vetëm 2 kursi dhe në më të shumtën e ditës, ajo djathtas pengohet me makina që ndalojnë përkohësisht. /noa.al