Transmetuar më 27-08-2021, 16:07

Viti i ri shkollor 2020/2021 do të shtyhet për datën 13 shtator, tha kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, pas takimit që ka pasur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia në lidhje me masat e reja të paralajmëruara kundër koronavirusit.

Fillimi i vitit të ri shkollor, sipas ligjeve në fuqi, në Kosovë nis më 1 shtator.

"Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend dhe rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, sidomos te moshat 0-19 vjeç, Qeveria do marrë vendim për shtyrje të fillimit të vitit të ri shkollor”, tha Ibrahimi për radion Evropa e Lirë.

Në lidhje më masat e paralajmëruara, Ibrahimi tregoi se përfaqësues të komunave kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të shtohen inspektimet në nivel komunal dhe njëherësh të ketë më shumë qendra të vaksinimit.

Masat e paralajmëruara janë, ora policore nga 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit dhe orari i punës për gastronominë do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30 duke funksionuar vetëm me hapësirat e jashtme me vetëm 70 për qind të sipërfaqes.

Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare, kurse sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura.