Transmetuar më 25-08-2021, 00:46

Qeveria greke ka vendosur të hedhë për zbatim një varg masash të paprecedenta në përpjekjet për të detyruar qytetarët të vaksinohen me të gjitha dozat që u kërkohet nga autoritet.

Ndërsa u tha se dy doza vaksine ishin të mjaftueshme për të mos u infektuar 96 ndër 100 njerëz, tani thuhet se cilido person i vaksinuar mund të infektohet, duke nxitur shumë njerëz që të refuzojnë vaksinën.

Ndërkohë qeveria po planifikon të kërkojë dozë të tretë vaksine për qytetarët.

Paralelisht po hidhen në qarkullim masa të ashpra që u prezantuan sot nga Ministri grek i Shëndetësisë, Vasilis Kikilias. Ai tha se kush nuk është vaksinuar do të duhet që të testohet dy herë në javë përndryshe nuk di të lejohet të shkojë në vendin e vet të punës.

Në të gjitha njësitë e shërbimeve publike dhe private, përfshirë institucione, objekte arsimore e deri kafe dhe supermarkete, nuk do të lejohet hyrja brenda tyre nëse nuk je vaksinuar ose nëse nuk provon se ke kaluar kovidin gjatë gjashtë muajve të fundit.

Ministri i Shëndetësisë tha se masat e reja nuk janë ndëshkuese, por “ajo që ne duhet të bëjmë si një shtet përgjegjës”.

“Është obligimi ynë dhe detyrimi ynë ndaj të gjithë atyre që e humbën betejën para se të viheshin në dispozicion vaksinat", tha Kikilias.

Masat do të jenë në fuqi nga 13 shtatori deri më 31 mars. Sipas rregullave të reja, të gjithë punonjësit e sektorit privat dhe publik pa një certifikatë që vërteton vaksinimin ose shërimin e fundit nga COVID-19 do të duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë një deri dy herë në javë, sqaroi Kililias.

Dy teste në javë do të kërkohen për njerëzit që punojnë në arsim, turizëm, restorante, kafene, bare dhe në mjedise argëtuese, si dhe për studentë të shkollave dhe universiteteve.

Testet do të kryhen në objekte private, me koston prej 10 eurosh që do të paguajnë individët e testuar. Vetëm nxënësit do të kenë të drejtë për teste falas. Deri tani çdo qytetar kishte të drejtë të testohen falas edhe çdo javë.

Të pavaksinuarit mund të hyjnë në kinema, teatro, muze, vende arkeologjike dhe palestra vetëm me prova të një testi të shpejtë negativ të kryer deri në 48 orë më parë.

Maskat do të jenë të detyrueshme për të gjithë në vende të mbyllura. Edhe në mjedise të hapura ku ka shumë njerëz, maska do të jetë e detyrueshme.

Edhe i gjithë transporti urban e interurban apo ndërkombëtar, ai ajror, detar dhe hekurudhor po ashtu do të jenë me kriteret e mësipërme. Përjashtim bëjnë fëmijët deri 12 vjeç.

Masat e reja kanë provokuar protesta të qytetarëve. Shumë prej tyre thonë se po j shkelen me të dy këmbët të drejtat e tyre themelore.

Në Greqinë me pak më shumë se 10 milionë banorë, të paktën 600 mijë u infektuar dhe mbi 13 mijë vetë humbën jetën.