Transmetuar më 13-08-2021, 21:20

Mijëra afganë të cilët kanë bashkëpunuar me amerikanët tani janë në rrezik spastrimi pasi SHBA vendosi të tërheqë trupat ushtarake dhe forcat talibane morën nën kontroll Kandaharin, rajoni i dytë më i madh në Afganistan.

Në këtë situatë, Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është vënë në lëvizje dhe ka zhvilluar bisedime të fshehta me disa vende për ti strehuar këta afganë.

Reuters njoftoi sonte se qeveria amerikane ka kërkuar nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës që të pranojë strehimin e afganëve në trojet shqiptare për një afat të pacaktuar.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se duhet të marrin në mbrojtje afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan. SHBA nuk u shpreh zyrtarisht nëse kishte në plan që të strehonte në territorin e saj afganët në rrezik persekutimi të mundshëm nga talibanët.

Reuters njofton se Kosova dhe Shqipëria janë vendet me të cilat ka diskutuar administrata amerikane, duke u kërkuar që të strehojë afganët e lidhur me SHBA-në, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave amerikane për ta.

Në këmbim, administrata amerikane ka ofruar për Shqipërinë dhe Kosovën mbulim total të shpenzimeve për akomodimin e disa mijëra afganëve, si dhe favore ekonomike dhe politike që nuk janë të qarta.

Në Afganistan janë duke u zhvilluar luftime të ashpra mes forcave të qeverisë afgane dhe talibanëve, të cilët po synojnë të marrin sa më shumë kontroll të territorit.

Ofensiva e talibanëve filloi në muajin muaj, menjëherë pasi forcat e huaja, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara njoftuan se kanë filluar tërheqjen nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve ushtarake atje.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikimi.

Ngurrimi i disa vendeve për të pranuar afganët ka bërë që administrata t’iu bëjë thirrje tjerave që mund të jenë të gatshme të ndihmojnë në këtë drejtim, thanë zyrtarët.

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë për Reuters se vendet me të cilat ka biseduar administrata amerikane ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19 para se të lejoheshin të fluturonin.

Administrata e presidentit Biden ka shikuar mundësinë të dërgojë afganët në Kazakistan, Taxhikistani dhe Uzbekistan. Por, ende nuk është arritur ndonjë përparim në këtë drejtim.

Ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë Reuters për të komentuar këtë çështje.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i tha agjencisë Reuters se “mund të priten shqetësime të llojit: ‘Kush janë këta njerëz? Si i njihni këta njerëz? A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin viza në Shtetet e Bashkuara?".

Por, ky zyrtar nuk pranoi të konfirmojë se me cilat vende po zhvillojnë bisedime Shtetet e Bashkuara.

Një marrëveshje me Katarin për strehimin e rreth 8,000 afganëve është përfunduar para disa javësh, tha një zyrtar amerikan, por ajo zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur.

Deri më tani, rreth 1,200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3,500 në javët e ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten (13 gusht) se aleanca do të vazhdojë prezencën e saj civile diplomatike në Afganistan dhe se do të vazhdojë të mbështes trupat afgane në përballjen e tyre me ofensivën e talibanëve.