Transmetuar më 06-08-2021, 04:26

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, ka zhvilluar një operacion në Prishtinë në lagjen “Velania”, me ç’rast janë identifikuar 22 shtetas nga Shqipëria me qëndrim të parregullt në Kosovë.

Trajtimi i tyre është bërë sipas dispozitave të Ligjit për të Huajt dhe janë zbatuar dispozitat ndëshkimore si dhe janë ndërmarrë masat e depërtimit të disa prej tyre përmes vendimeve për largim vullnetar si dhe disa të tjerëve përmes vendimeve për largim me forcë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Shkeljet sipas Ligjit për të huaj kanë të bëjnë me veprimtari nga më të ndryshmet, përfshirë lëmoshë-kërkues dhe muzikantë rruge.

Policia tha se mosparaqitja e adresave të banimit të tyre, tejkalimi i qëndrimit brenda afateve kohore, si dhe mosposedimi i mjeteve financiare të mjaftueshme për jetesë në Kosovë, janë disa arsye të valës së dëbimeve që do të vazhdojë.