Transmetuar më 04-08-2021, 16:30

Kur Shqipëria nisi vaksinimin masiv, kryeministri Edi Rama ofroi për 100 mjekë të Kosovës, dozat e vaksinës Pfizer. Atë fund dimri, u duk se trojet shqiptare përtej kufirit do të mbeteshin shumë mbrapa nesh.

Por në fakt po ndodh e kundërta. Me sforco të madhe dhe duke hequr çdo kufizim moshe, Shqipëria mezi po ia del të kryejë maksimumi 9 mijë vaksinime në ditë.

Ndërsa në Kosovë, po bëhen gati dyfishi në ditë dhe mesatarja është mbi 15 mijë vaksina ditore.

Kosova, ka hequr kufizimet e moshës duke mos u marrë me oferta tipike komerciale si, ditët e vaksinimit, javët e vaksinimit apo muaj vaksinimi për çdo moshë, por ka hapur dyert për të gjithë.

Për më tepër, në Kosovë e zgjedh vetë vaksinën që do dhe jo e imponuar nga shteti. Ç’është më kryesorja, vaksinat që bëhen në Kosovë janë vetëm ato perëndimore të njohura nga EMA dhe jo ato kineze e ruse që janë më të shumtat në vendin tonë.

Disa mendojnë se janë pikërisht këto arsye që Kosova po bën vaksinim më efektiv se Shqipëria.

Po ashtu atje ka ndikuar dhe sensibilizimi i njerëzve. Ndërsa në Shqipëri nuk ka asnjë fushatë sensibilizimi dhe edukimi apo nxitjeje që njerëzit të vaksinohen. /noa.al