Transmetuar më 27-07-2021, 10:57

Dje në Torino ishte dita e Cristiano Ronaldos, në Milano ajo e Lukakut. Dy sulmuesit u kthyen nga pushimet dhe nisën përgatitjet me Juventusin e Interin. Relaski mënjanë, tani është koha të djersijnë në fushë.

Sulmuesi zikaltër mbërriti në “Appiano Gentile”, u stërvit dhe iu dërgoi një mesazh tifozëve zikaltër përmes “Inter Tv”: "Ndihem i lumtur që jam përsëri këtu, shpresojmë të vazhdojmë rrugën e mirë që kemi nisur. Duam të vazhdojmë të fitojmë. Ne lojtarët me të vërtetë do të punojmë shumë për t’i realizuar ëndrrat e tifozëve zikaltër”.

Një premtim ky nga Romelu, i cili u ngacmua edhe për pushimet, nëse ka menduar ndopak për formën sportive: "Unë pushova, por gjithashtu u stërvita pak për të qëndruar në formë. Tani kemi disa javë në dispozicion për t’u përgatitur si duhet për kampionatin dhe shpresojmë të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar".

Kur u kthye dje tek Interi gjeti ndryshime jo të vogla. Mbi të gjitha në stolin drejtues, ku mentori i tij, Antonio Conte, është larguar dhe vendin e trajnerit kampion e ka zënë Simone Inzaghi, i cili vjen po nga Serie A, konkretisht nga stoli i Lazio. Belgu jep kushtrimin për bashkim:

"Ne biseduam shumë ditën që klubi njoftoi se ai do të bëhej trajneri i ri. Gjithashtu biseduam kur isha në Kampionatin Europian. Vëllai im, gjithashtu më foli shumë për të. Ai është një trajner i mirë, mendoj se do ta ndihmojë ekipin për të bërë gjëra të mëdha. Bashkë me Inzaghi për të fituar përsëri trofe".