Transmetuar më 26-07-2021, 15:15

Aktivisti i njohur i shoqërisë civile në vendin tonë, avokati dhe pedagogu Adriatik Lapaj, ka shpërthyer sot ndaj politikanëve shqiptarë, të cilët nuk humbasin asnjë minutë për t’u mburrur me sukseset e vajzave të Kosovës në Lojërat Olimpike të Japonisë.

Me pak vite si shtet, e panjohur nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, Kosova ka fituar dy medalje të arta në “Tokyo 2020”. Nga këto suksese duan të përfitojnë edhe politikanët tanë, që deri sa u ngjitën në podin e nderit nuk ua dinin as emrin çikave kosovare të xhudos.

Sot i konsiderojnë krenaria e kombit!!! Pikërisht për këtë dyfytyrësi ka shkruar edhe Lapaj:

“Këta që nuk lanë më fushë sporti, kompleks sportiv, aset sporti pa e tjetërsuar janë krenarë me çikat e Kosovës.

Këta që sportistët në Shqipëri i trajtojnë me rroga qesharake krenohen me vajzat e Kosovës.

Këta që mijëra sportistë në Shqipëri i kanë lënë pa sigurime shoqërore dhe shëndetësore ndihen krenarë.

Këta që drejtojnë një shtet 109-vjeçar dhe që nuk ka asnjë medalje olimpike ndihen krenarë.

Nuk e di domethënë… Nuk e di si ia dalin dot të kapërcejnë dhe veten në këtë farë pike!”