Transmetuar më 25-07-2021, 16:00

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u pyet sot se çfarë po bëhet me peshqit e mëdhenj në Shqipëri, në vijim të deklaratës së bujshme atëkohë të pararendësit të saj në detyrën që mban.

E pyetur mbi këtë dhe se a ka gjasa se po shkojmë drejt “peshkut të madh”, Kim tha:

“Unë jam diplomate. Unë nuk jam prokurore, nuk jam peshkatare, nuk jam gjyqtare, unë jam thjesht një diplomate.

Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre, ata e dinë se cilat janë përgjegjësitë e tyre, unë mendoj që ata po nisin t’i përmbushin ato. Le të mbështesim”.

Duke folur nga Pusteci, zonë minoritare maqedonase, zonja Kim ka vlerësuar me pesimizëm ritmin e realizimit të reformës në drejtësi.

“Unë mendoj që reforma në drejtësi po çohet përpara, ngadalë, më ngadalë se çfarë do të donim", pohoi ajo.

Megjithatë shtoi: "Por është padyshim një shtysë përpara, njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë të pakënaqur, duhet të jenë më tepër kërkues me qeveritarët e tyre, njerëzit që ata kanë zgjedhur dhe duhet të vazhdojnë përpara.

Tani është koha që të vazhdojmë përpara. Mos u dorëzoni. Disa njerëz thonë që reforma në drejtësi është asgjë, duhet të dorëzohemi, por jo, po ju gënjejnë, mos hiqni dorë”, tha Kim.