Transmetuar më 25-07-2021, 13:34

Absurde shqiptare që nuk kanë të sosur, po ndodhin kudo në vend. Në Fier sot, babë e bir nxorën armët dhe një sulm ndaj fqinjit për pak përfundoi në krim fatal për një arsye sa banale aq dhe shqetësuese për nivelin dhe motivin e ngjarjeve të tilla.

Gjithçka ndodhi në Mbrostar Ura në Fier, raporton bashkëpunëtori i noa.al. Një burrë ndodhej në banesën e tij dhe kishte dalë në oborr dhe po rrëkëllente një kanoçe Red Bull.

Pasi e piu e flaku kanosen që ra tek oborri i fqinjëve Zyka. Kjo duket se ka acaruar fqinjët babë e bir. Mes palëve ka nisur një sherr verbal që po agravohej gjithnjë e më shumë pasi djali nxori Kallashnikovin nga shtëpia dhe nisi ta vërtiste në ajër, kurse i ati u afrua me një pistoletë. Një skenë frike nisi kur u dëgjuan krismat e para.

Policia në Fier tha se një telefonatë të ardhur në Sallën Operative të policisë në Fier se në fshatin Mbrostar Ura, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar ngjarjen e mundshme kriminale.

Punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e shtetasit Fakim (Ilvan). Zyka, i cili pas një konflikti për motive të dobëta me fqinjin e tij, shtetasin M. K., 55 vjeç, e ka kanosur atë duke gjuajtur në ajër me armë zjarri automatik, nga oborri i banesës së tij.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi Fakim (Ilvan) Zyka, 30 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, si dhe babai i tij, Petrit Zyka, 59 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, i cili mbante pa leje një armë zjarri pistoletë.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një pistoletë dhe një krehër me 18 fishekë.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe "Kanosja". /noa.al/