Transmetuar më 25-07-2021, 12:39

Pamje për herë të parë janë ato që nxorën sot mediat greke teksa trupi i të ndjerës Garyfallia nxirret nga deti mes dallgëve dhe një terreni të thyer shkëmbor.

Vajza 26 vjeçare është gjetur fillimisht nga një turist amerikan nga Houston, në plazhin Lygaria. Ai ndodhej në det me gruan dhe vajzën e tij dhe tregoi se panë trupin në det dhe u afruan për të parë nëse ishte gjallë.

Në vijim u afruan rojet bregdetare të Folegandros dhe nisën përpjekjet që shikoni në video për ta nxjerrë trupin në tokë.

Sipas dëshmisë së turistit amerikan, i cili ishte në Folegandros për pushime, më 16 korrik, ai dhe gruaja dhe vajza e tij gjetën trupin e pajetë të Garyfallia që pluskonte në ujë, pak pasi ai ishte vrarë.

Mjeku që shkoi në vendngjarje tha se vajza ishte akoma e ngrohtë dhe mund të ishte shpëtuar nëse do t’i ishte bërë një reanimacion kardiopulmonar 10-15 minuta më herët.

Hetimi nxori se i dashuri 30 vjeçar i të ndjerës hodhi në det 26 vjeçaren. Ai tha pas prangosjes se ishte ndjerë i fyer nga një ofendim i të dashurës dhe reagoi fatalisht duke e goditur dhe më pas e shtyu te një shkëmb i pjerrët duke e hedhur më pas në det ku ndërroi jetë. /noa.al