Transmetuar më 25-07-2021, 12:00

Italia e Roberto Mancini, kampione e Europës, i ka pushtuar të gjithë. Edhe dy javë pas asaj nate magjike në “Wembley”, mbizotëron ende “Italmania”. Në rrjetet sociale nuk rresht shfryrja e dufit nga tifozët anglezë (peticioni i nisur nga mbështetësit britanikë për të përsëritur finalen).

Krejt ndryshe, tifozët italianë nuk humbasin rast pa “i hedhur kripë plagës” së homologëve të tyre, të cilët besonin shumë te fitimi i trofeut në shtëpi, por u zhgënjyen pa kufi. Për të përjetësuar trofeun e kësaj vere, shumë axurrë kanë vendosur të bëjnë tatuazhe në trupin e tyre.

Janë momente pikante nga “Euro 2020”. Pas tatuazheve me përgjumjen e Barella dhe “kapjen për zhelesh” të Saka nga Chiellini në finale, janë shfaqur të tjerë me Leonardo Bonucci si protagonist…

Në rrjetet sociale, fotoja e Bonucci dhe Chiellini duke ngrënë makarona së bashku në një pjatë është bërë trendi. Aq sa ka nga ata që donin ta bënin atë foto tatuazh. Tifozi blu quhet Gianni dhe ka bërë tatuazh imazhin e Leonardo Bonucci në këmbën e tij të djathtë.

Mbrojtësi i Juventusit është “përjetësuar” me një pjatë makarona me salcë në dorë. Tatuazhi u realizua nga një studio në Viterbo, qyteti ku lindi mbrojtësi i ekipit kombëtar dhe “Zonjës së Vjetër”.