Transmetuar më 25-07-2021, 10:16

Aksident tragjik me 10 të vdekur dhe 30 të plagosur në Kroaci, pasi një autobus nga Kosova po udhëtonte nga Gjermania në drejtim të Prishtinës.

Autobusi me targa të Kosovës vinte nga Frankfurti i Gjermanisë, raporton noa.al.

Teksa përshkonte rrugën në Kroaci, ka ndodhur aksidenti kur mjeti gjendej në autostradën 3 pranë Slavonki Brod sot në mëngjes.

Momentalisht raportohet për dhjetë persona të vdekur dhe 30 të plagosur.

Në autobus gjendeshin rreth 60 pasagjerë.

Autobusi i aksidentuar është i agjencisë kosovare “Deva Tours”, raporton gazeta kroate “Jutarnji List”. Sipas kësaj gazete autobusi i aksidentuar vinte nga Frankfurti në drejtim të Kosovës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 6.20 të mëngjesit. Policia kroate është duke i hetuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ky aksident trafiku.

“Situata është shumë e vështirë dhe ka ende numër të madh të pasagjerëve që iu kërcënohet jeta brenda në autobus”, tha një zëdhënës i policisë.

“Shkaqet e aksidentit mund të merren me mend tani për tani, por asgjë definitive nuk mund të thuhet”, thonë autoritetet kroate.