Transmetuar më 25-07-2021, 09:24

Eleminohet që në turin e parë Majlinda Kelmendi pretendente për medalje. Menjëherë ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka bërë një postim në profilin e “Facebook”, ku shkruan se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme. Sipas Osmanit, Kelmendi i ka sjellë Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër.

“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.

Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndrrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave”, ka shkruar Osmani në postimin e saj në “Facebook”.

Më pas presidentja e Kosovës vijoi duke thënë se pavarësisht rezultatit, Majlinda ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

“Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova! ??”, thuhet në postimin e Osmanit.

Kujtojmë se Kelmendi dështoi në “Tokio 2020”. Ajo u mund që në raundin e parë nga xhudistja hungareze, Reka Pupp në kategorinë deri në 52 kilogramë.