Transmetuar më 24-07-2021, 13:47

Varianti Delta i Coronavirusit po përhapet frikshëm në Kosovë. Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen ndaj Covid-19 në mënyrë që të mos rrezikohet rimbyllja e vendit.

Vishaj thotë se gjendja për momentin në Klinikën Infektive është e qëndrueshme, por sipas tij pritet të ketë një valë të re të infektimeve.

“Në Klinikën Infektive kemi 11 pacientë, dy prej tyre janë në reanimacion. Gjendja është stabile, nuk kemi rritje të të hospitalizuarve, por që ka mundësi të vjen valë e re e infektimeve, duke parë edhe rastet në Evropë.

Vaksinimi është zgjidhja e vetme. Nëse nuk bëhet vaksinimi masiv, mbyllja është e pashmangshme në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik”, tha ai.

Prej fillimit të procesit në Kosovë janë vaksinuar mbi 200 mijë persona ku deri sot 102.210 qytetarë kanë marrë të dyja dozat.

Thirrje për vaksinim janë duke bërë në vazhdimësi institucionet shëndetësore. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër koronavirusit.

“Vaksinohuni, kudo që vëreni persona që nuk janë vaksinuar, këshilloni që të vaksinohen për të ruajtur shëndetin e tyre, dhe të afërmeve të tyre. Ju lutemi për kujdes të shtuar, virusi është kudo, virusi vret. Mos vaksinimi përkeqëson situatën epidemiologjike, rritë rastet e sëmundjes, rritë rastet e vdekjes, mos mbingarkoni institucionet shëndetësore”,-thuhej në komunikatën e IKSHPK-së.