Transmetuar më 24-07-2021, 10:47

Dje ishte dita e “rilindjes” së legjendës kosovare të futbollit, Fadil Vokrri. Ai u përjetësua përmes një busti, që u vendos në hyrje të stadiumit po me emrin e tij, në Prishtinë. Në ceremoninë përkatëse të zbulimit të shtatores prej bronzi mori pjesë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, drejtues të federatës së futbollit atje, por edhe ish-futbollistë nga Shqipëria e Kosova.

Madje, sipas planit të FFK dhe FSHF, u zhvillua edhe ndeshja vëllazërore mes veteranëve të futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Kjo vëllazërore përkoi jo vetëm me shtatoren, por edhe ditën e lindjes së legjendës Vokrri, i cili humbi jetën para tri vitesh nga një arrest kariak teksa po stërvitej në palestër.

Kjo ishte hera e dytë brenda pak muajve që veteranët e Kosovës dhe Shqipërisë luajnë një miqësore të tillë, teksa e para u zhvillua më 16 shkurt 2021, gjithashtu në Prishtinë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Vëllazërorja e mbrëmshme përfundoi në barazim 1-1, pastaj u goditën penalltitë, prej nga fituan “Dardanët”. Nga Shqipëria morën pjesë emra të tillë si Sokol Kushta, Hysen Zmijani, Klodian Duro, Elvin Beqiri, Afrim Tole, Ervin Fakaj etj. Bashkë me ta luajtën edhe dy ish-kuqezinjtë nga Kosova, Armend Dallku dhe Debatik Curri.

Kujtojmë se Fadil Vokrri ishte president i Federatës Kosovare të Futbollit. Ai ia doli ta nxjerrë nga izolimi futbollin kosovar, pas shumë përpjekjesh titanike. Më në fund siguroi anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, por nuk e shijoi shumë këtë sukses madhor, sepse  u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare, kur kombëtarja "Dardane" nisi rrugëtimin e saj ndërkombëtar.