Transmetuar më 23-07-2021, 21:58

Shkencëtarë dhe gjuhëtarë të ndryshëm shqiptarë kanë dalë në protestë sot, e treta radhazi duke u mbledhur përpara Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe hodhën akuza se ky institucion është bunkerizuar nga kreu aktual Skënder Gjinushi.

Protestuesit thanë se tashmë Akademia e Shkencave nuk funksionon vërtetë si e tillë, pra si një akademi e Shqipërisë, por ngjason më shumë me një akademi serbe apo sllave.

Në lidhje me këtë protestë, në ‘Fax News’ ishte gjuhëtari, Agron Dalipaj, i cili nuk vlerësoi se ky institucion nuk është aspak një vend në të cilin mund të jepnin kontributin e tyre shkencëtarët dhe gjuhëtarët e vërtetë.

“Kjo është protesta e tretë që ne bëjmë përpara Akademisë së Shkencave. Është një rrugëtim i gjatë dhe një përpjekje e pandërprerë. Ne kërkojmë që kjo akademi që quhet Akademi Shkencash të jetë vërtetë e tillë dhe të gëzojë mbiemrin e saj.

Ajo portë e Akademisë së Shkencave duhet të jetë një portë e hapur për njerëzit e shkencës, për shkencëtarët.

Por si qëndron e vërteta? E vërteta është se kjo portë rri e mbyllur për shkencëtarët e vërtetë, përsa kohë që veprat e tyre refuzohen dhe nuk merren në konsideratë.”, tha ndër të tjera gjuhëtari Dalipaj.

Ai vijoi më tej duke e simbolizuar këtë Akademi si një akademi serbe, një përcaktim shumë i rëndë ky sipas tij, por edhe i vërtetë, pasi në këtë institucion sipas tij, prej dy vitesh tashmë nuk ka më konkurrencë dhe nuk bëhen më konkurse për vepra shkencore.

Ndaj, sipas tij duhet të ketë një ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për ta nxjerrë këtë akademi nga gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet sot.

“Kjo akademi funksionon si Akademia e Shkencave të Serbisë. Ky është një përcaktim shumë i rëndë. Në këtë institucion ka të paktën dy vjet që nuk ka më konkurrencë dhe nuk bëhen më konkurse për vepra shkencore. Kjo akademi është në një gjendje të mjeruar, sepse nuk mund të përballet me shkencëtarët e vërtetë që vijnë nga jashtë", – tha më tej në fjalën e tij Dalipaj.