Transmetuar më 23-07-2021, 11:59

Negociatat midis Romës dhe Arsenalit për të sjellë Granit Xhaka te verdhekuqtë janë praktikisht në detajet e fundit.

Siç raportohet nga “Sky Sport”, mesfushori shqiptaro-zviceran do të bashkohet me Romën në përgatitjet parasezonale, që do të spostohen së shpejti në Portugali.

Tiago Pinto është gati, pas Rui Patricio dhe Vina, për të mbyllur “hitin” e tretë të merkatos së kësaj vere.

Gjithçka është e kryer midis dy klubeve, vetëm zyrtarizimi mungon. Sa për shifrat e operacionit, siç raportohet nga “Calciomercato.it”, marrëveshja do të mbyllet për 20 milionë euro, me Xhakën që ka refuzuar një ofertë tjetër nga një tjetër klub i Serie A.

Ai është i vendosur t’i bashkohet Mourinhos, sepse e ka kërkuar kaq shumë, me ngulm.

Tek Arsenali po mendojnë zëvendësuesin e Granit Xhakës, sepse ishte njeriu kryesor në qarkullimin e topit atje.

Drejtori teknik Edu mund të ndërmjetësojë një marrëveshje “shokuese” me Henderson të Liverpool.

Nëse ky skenar realizohet, atëherë jo vetëm që do të ishte një zëvendësim i denjë për shqiptarin, por më shumë se kaq.