Transmetuar më 21-07-2021, 21:31

Ish-Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ish Presidenti Bujar Nishani Nishani i ftuar në emisionin “AKTUALITET” me Bejdo Malon në Fax News është shprehur se Lulzim Basha nuk ndihet aspak i shqetësuar me çfarë po ndodh për aq kohë sa është thjesht një kryetar dhe është ulur në një karrige, por sipas Nishanit, me këtë veprim PD rrezikon të humbasë kredibilitetin tek njerëzit, si një alternativë qeverisëse.

Ndaj, sipas Nishanit, interesi personal dhe akomodimi personal i z. Basha, nuk është zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet kjo forcë politike, ndërsa vijoi më tej se nuk është çështje emrash të përveçëm, por se e rëndësishme është që të fokusohemi tek kauza, që është situata ku është sot forca e dytë më e madhe në vend, në raportet që ka një parti në sistemin politik që është pikërisht marrja e pushtetit.

Ndërkohë duke folur për mënyrën që zgjodhi z. Basha për të bërë fushatë, sipas Nishanit, strategjia ishte tepër e gabuar, gjë që solli edhe humbjen e PD, kjo pasi sipas tij, prej disa kohësh sondazhet nxirrnin Lulzim Bashën më pak të preferuar në raport me forcën politike që ai drejton.

Kjo sipas Nishanit është hera e parë që ndodh në një forcë politike në vend, dhe ishte pikërisht kjo që solli humbjen në zgjedhje, pasi PD mori vetëm votat e besnikëve të saj, dhe nuk pati asnjë reagim nga elektorati gri, ose ata njerëz që nuk kanë asnjë lidhje të ngushtë me një parti të caktuar.

“Lulzim Basha nuk mund të dilte në fushatë mbi bazën e identifikimit të tij personal, sepse nuk e kishte mbështetjen e demokratëve. Për këtë ai duhet të krijonte një ekip, dhe jo vetëm pak muaj para zgjedhjeve apo gjatë fushatës elektorale, por duhet ta kishte krijuar kohë më parë, në mënyrë që të kishte në përbërje të tij njerëz me kredibilitet të lartë, që do të bënin që rezultatet të ishin të tjera.”, tha në lidhje me këtë çështje, z. Nishani.