Transmetuar më 21-07-2021, 17:24

Rreth 60 kilometra larg kryeqytetit dhe 50 kilometra nga qendra e Durrësit ndodhet një prej destinacioneve më të bukura turistike, Kepi i Rodonit.

Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse, si dhe dy monumente historike e kulturore të rëndësisë së veçantë, si Kalaja e Skënderbeut dhe Kisha e Shën Ndout.

Të dy monumentet, pjesë në kategorinë e parë të Trashëgimisë Kulturore, janë lënë në mëshirë të fatit. Dhe ndërsa dora e shtetit nuk duket, dikush tjetër po e shfrytëzon financiarisht situatën, raporton A2. Që në hyrje u përballëm me një tra i cili mund të kalohej vetëm kundrejt pagesës, 100 lekë për mjet dhe 200 lekë për vizitor.

Kisha Françeskane ka marrë në administrim të gjithë zonën dhe po e shfrytëzon edhe për qëllime turistike, duke ofruar shërbime biznesi, por duke ushtruar aktivitetin edhe tek monumentet kulturore që nuk i përkasin asaj.

Për këtë nuk na u dha asnjë shpjegim, por nëse i referohesh dokumentacionit zyrtar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Durrës, pronë e kishës nuk rezulton të jetë e gjithë sipërfaqja dhe prapë nuk mund të hysh nëse nuk paguan. Pesë euro shte pagesa që bëri Prashant Bahtias, një turist nga Dubai për të parë zonën.

Më 19 qershor, policia mësyu në këtë zonë për të penguar ndërtimet pa leje, por banorët e zonës mendojnë se ajo nuk e ka asnjëherë seriozisht.

Kalaja mbi 500-vjeçare, që gjendet në anë të detit, u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1450 – 1452, në mënyrë që të kishte një dalje më të shpejtë në Detin Adriatik në rast pushtimi nga Perandoria Osmane.