Transmetuar më 21-07-2021, 16:09

"Faleminderit shumë për pritjen e ngrohtë, jam krenar që vesh këtë fanellë të Real Madridit, do të jap gjithçka për të qenë i suksesshëm. Hala Madrid”. Këto janë fjalët e para të David Alaba si lojtar i ri i Merengues. Ish-lojtari i Bayern Munich u prezantua te “Los Blancos”, ku u zbulua se do të veshë fanellën me numrin 4, të lëshuar nga Sergio Ramos. Krahasimit që donin t’i bënin gazetarët me ish-kapitenin e larguar pas 16 vitesh nga “Santiago Bernabeu”, mbrojtësi austriak iu përgjigj:

David Alaba posa con todos los títulos ganados en sus 11 temporadas...

"Fola me klubin për këtë, drejtuesit ma ofruan numrin 4. Mendoj se nuk kishte ndonjë numër tjetër të disponueshëm. Sidoqoftë, e di se çfarë do të thotë ky numër për klubin. Është një nder për ta veshur këtë fanellë, më motivon më shumë. Është një numër që përfaqëson forcën dhe lidershipin. Unë nuk kam ardhur në Madrid për ta krahasuar veten me të tjerët, dua të jem Alaba dhe të vazhdoj të jem i tillë.

Do të kontribuoj me aftësitë e mia, por duke mbetur vetvetja. Ramos ka qenë këtu për mbi një dekadë, ka luajtur futboll shumë mirë, duke mbajtur këtë numër dhe është bërë lider. Ndihem i nderuar që marr numrin e tij, ky fakt përbën një motivim të madh për mua. Sidoqoftë, nuk jam këtu për ta krahasuar veten me të tjerët".

Presidenti Florentino Perez u shpreh: "Ne mirëpresim një lojtar të shkëlqyeshëm, që gjithmonë ka ëndërruar të veshë fanellën e Real Madridit. Sa herë që një lojtar i shkëlqyeshëm vjen në klubin tonë, ne kemi emocione dhe pritshmëri pozitive. Është një moment i shkëlqyeshëm. Ne jemi duke punuar me profesionalizëm dhe përkushtim. Do të përballemi me të ardhmen me më shumë forcë dhe përkushtim se kurrë, në mënyrë që ëndrrat e miliona tifozëve tanë të bëhen realitet. Nuk heqim dorë kurrë, ne jemi klubi me 13 Champions".