Transmetuar më 21-07-2021, 08:53

Kapet kokainë me vlerë të paktën 100 mijë euro në Durrës, një nga 4 të arrestuarit godet makinën e operacionales dhe i nxjerr armën efektivëve që po tentonin ta arrestonin dule kryer operacionin policor të koduar “Nënkalimi”.

Në kuadër të operacionit të koduar "Nënkalimi", u arrestuan në flagrancë shtetasit Arian Plaku, Edmond Gjyzeli, Ilir Peraj dhe Stavri Marku.

Arrestimi i tyre u bë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Durrës.

Fillimisht, shërbimet e Policisë, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Urës së Dajlanit”, kanë ndaluar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin E. Gj. dhe pasagjer shtetasin A. P. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Gj. iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.

Gjithashtu, në vijim të operacionit dhe mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: I. P., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion” dhe S. M., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.