Transmetuar më 21-07-2021, 08:07

Prej dy ditësh Presidenti turk Recep Taip Erdogan ndodhet në Qipron veriore Vizita u përmbyll me një paradë ushtarake, si për të demostruar këmbënguljen e Ankarasë në zgjidhjen e propozuar për ndarjen në dy shtete të ishullit.

Por, më shumë se sa parada bujë në këtë vizitë bëri deklarata e kreut të shtetit turk, që njoftoi planet për të hapur pjesërisht qytetin Varosha, i boshatisur nga grekët gjatë pushtimit të veriut të Qipros nga ushtria turke në vitin 1974 dhe që nga turqit njihet me emrin Marash.

“Jeta do të rinisë sërish në Marash. Falë punës së bërë për të respektuar të drejtat e punës, dyert e një epoke të re do të hapen në Marash dhe nga kjo do të përfitojnë të gjithë”, tha Presidenti turk.

Erdogan tha se Ankaraja është në rrugën e drejtë dhe duke qenë në këtë rrugë do të mbrojë të drejtën e saj deri në fund, duke nënkuptuar këtu edhe përdorimin e forcës.

Por, këto deklarata të Erdogan nuk janë pritur mirë në Athinë dhe në Perëndim. Ministria e Jashtme greke doli me një deklaratë ku tha se dënonte me forcë deklaratat e Presidentit turk për rihapjen e pjesshme të Varoshës dhe i cilëson këto akte si në kundërshtim me rezolutat e OKB-së.

Greqia thotë se së bashku me qeverinë qipriote dhe me partnerët ndërkombëtarë mbetet e bindur te zgjidhja e propozuar federative dyzonale, si e vetmja rrugë për të bashkuar ishullin.

Deklaratat e Erdogan u kritikuan edhe nga Uashingtoni, Londra dhe Brukseli, që thanë se ato binin ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe thellojnë tensionet në ishull.

Pas grushtit të shtetit në Greqi, regjimi i kolonelëve nxiti një grusht të ngjashëm shteti më 1974 në Qipro. Qeveria ra dhe qeveria e re deklaroi bashkimin me Greqinë. Gjatë kësaj periudhe nisi një spastrim ndaj popullsisë turke të ishullit. Kjo nxiti reagimin e Ankarasë që ndërhyri me ushtrinë dhe mori nën kontroll 35 për qind të territorit verior të ishullit, ku banojnë turqi. Më pas, u shpall edhe Republika Turke e Qipros, që aktualisht njihet vetëm nga Turqia.