Transmetuar më 20-07-2021, 22:47

Një tjetër ‘rekord’ është arritur nga shqiptarët gjatë 2020, ku sipas një tabele studimi nga RFE, ne renditemi në vend të dytë pas ukrainasve, për refuzimet e hyrjes në BE gjatë 2020.

Raporti infografik nuk bën asgjë tjetër veçse konfirmon atë që e thonë shumë shpesh mes të njohurish e familjarësh, mijëra shqiptarë të cilët janë nëpërkëmbur nga policët kufitarë dhe doganierët e shteteve të BE duke u refuzuar padrejtësisht hyrjen në këto vende, përmes selektimit.

Janë dëshmi pafund që tregojnë sesi qytetarë shqiptarë me pasaportë të rregullt, të holla me vete, rezervim hoteli apo strehim të garantuar tek të afërm si dhe shtesë, vaksinë apo tampon e megjithatë janë penguar të futen në vendet e BE.

Kjo ka ndodhur sidomos në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, por edhe të tjera si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, etj. Si gjithnjë, shteti shqiptar është inekzistent në këto raste ku shpërfillet pasaporta shqiptare, pronë e shtetit shqiptar.

Nga tabela e publikuar, vërehet se 13 315 shqiptarëve u është refuzuar hyrja në BE. Ndërkohë Ukraina kryeson me 56 370 persona që u është refuzuar hyrja dhe pas nesh renditet Moldavia me 10 150 refuzime.

Siç mund të shihet nga tabela, Shqipëria ka lënë pas vendet e Ballkanit si Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut apo Turqia.