Transmetuar më 19-07-2021, 15:57

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur zgjatjen e orarit të lejimit të muzikës deri në orën 23:00 të mbrëmjes, ndërsa ora policore dhe masat e tjera do të mbeten të pandryshuara.

“Komiteti i Ekspertëve, duke u bazuar në të dhënat e hetimit epidemiologjik për rastet e infektuara, duke u bazuar dhe në vijimësinë e procesit të vaksinimit si dhe vaksinimin masiv si një nga elementët kryesorë të mbrojtjes nga infeksioni, propozon zgjatjen e orarit të lejuar të muzikës nga 22:00 që e kemi patur, në orën 23:00.

Ndërsa masat e tjera vazhdojnë të mbeten në fuqi, siç kanë qenë më pare dhe që kanë hyrë në fuqi në datën 1 korrik të vitit 2021”, ka njoftuar kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli.

Duke folur për situatën epidemiologjike dy javore, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha: “Incidenca dy javore për periudhën 5-18 korrik është 5 për 100 mijë banorë. Ka një rritje të lehtë të mesatares së rasteve pozitive të reja ditore nga 8 në 13. Numri i rasteve aktive është rritur në 156 krahasuar me 137. Ndërkohë që ka një zbritje të numrit të bashkive të prekura, nga 10 në 9. Raporti i infeksionit femra-meshkuj është 52-48 %”.

Prof. Dhimitër Kraja foli për gjendjen e të shtruarve në spitalin Infektiv, duke thënë se të gjithë të shtruarit nuk kanë qenë të vaksinuar dhe apleoi për vaksinimin e qytetarëve.

“Personat e shtruar janë në moshë 65 vjeç e sipër, asnjë prej tyre nuk është i vaksinuar, as me një dozë as me dy doza vaksinash. Kjo situatë nuk është e rastësishme, përkon me atë periudhë që vjen pas vaksinimit dhe pas kohës që vaksinimi jep efektet pozitive, pra kronologjikisht përkon me etapën e post -vasknimit, kjo është një gjë pozitive dhe që na inkurajon, vaksina në Shqipëri po funksinon, vaksinat në Shqipëri janë efikase, janë mbrojtëse sepse edhe faktet janë: Asnjë rast që është i vaksinuar nuk është i shtruar në spital”, tha Kraja.

Përveç zgjatjes së orarit të lejimit të muzikës deri në orën 23:00, masat e tjera, si më poshtë, mbeten të pandryshuara:

Qarkullimi i qytetarëve dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve kufizohet nga ora 24.00 – 06:00; lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP; lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatoreve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të IShP.