Transmetuar më 19-07-2021, 13:36

Protesta në Lungomare, Rama: Muzika deri në orën 23:00, kush do të kërcejë gjatë natës të organizohet në natyrë ku nuk shqetëson njeri!

Kryeministri Edi Rama u ndal sërish sot në çështjen e protestës së bizneseve në Lungomare, të cilët kërkojnë zgjatjen e orarit për lejimin e muzikes në lokale dhe restorante.

Sipas zotit Rama zgjatja e orarit për lejimin e muzikes në lokale dhe restorante është fenomen shqetësues në disa zona të banuara që lidhet me zhurmen e madhe që krijon problem për turistet dhe banoret në zonat turistike.

"Protestë në Lungomare për muzikën? Së pari, Lungomare s’ka muzikë, por ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra të tilla njëherësh.

Së dyti, e drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit", sqaron kryeministri.

Ndërkohë, nga data 20 korrik muzika do të ndalet jo në 22 por në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar.

Kurse për ata që duan më shumë orë argëtimi, Rama ofron këtë zgjidhje: "Kush do të kërcejë e të këndojë, le ta bëjë këtë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike".

Prej fillimit të muajit korrik subjektet, kryesisht lokale e restorante, që ushtrojnë aktivitetin përgjatë shëtitores në Vlorë kanë kërkuar që edhe orari i muzikës të shtyhet deri në mesnatë, në orën e mbylljes së aktivitetit.

Ato nuk kanë marrë ende një përgjigje zyrtare, as pas takimit me prefektin e qarkut dhe as pas protestës së të mërkurës para policisë.

Por nata e së dielës solli situatë të tensionuar me policisë dhe pronarëvë apo administratorëve të këtyre lokaleve. Këta të fundit kishin zgjedhur që të përdornin himnin kombëtar këngë patriotike e simbole kombëtare për të apeluar tek autoritetet, ndërsa uniformat blu, ndërhynë për të zbatuar rregullin në fuqi, ndalimin e muzikës pas orës 22.00.

Policia njoftoi të hënën se 3 shtetas u proceduan penalisht pasi kundërshtuan mbylljen e muzikës dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësit të Policisë, ndërsa një tjetër administrator subjekti për të njëjtat shkelje përveçse u procedua penalisht u ndëshkua edhe me masë administrative 1 milion lekë.