Transmetuar më 19-07-2021, 00:52

Nga dita e sotme 18 korrik nis java e vaksinimit të hapur për çdo qytetar +18 vjeç, për t’u vaksinuar pa kufizim.

Vaksinën mund ta merrni në çdo qendër shëndetësore dhe qendër vaksinimi kudo në vend,  njofton noa.al duke cituar ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Qytetarët që kanë mbushur moshën 18 vjeç mund të shkojnë në çdo qendër shëndetësore apo pikë vaksinimi ose të kërkojnë shërbimin derë më derë dhe stafet e vaksinimit do të jenë në dispozicion për të bërë vaksinën.

Aktualisht janë në dispozicion rreth 400 mijë doza vaksine, kryesisht ajo kineze CoronaVac, por edhe rusja Sputnik V,  AstraZeneca, Covishield, patenta indiane e britanikes Vaxveria – AstraZeneca, si dhe Pfizer.

Muajin e kaluar u aplikuan dy ditë vaksinimi për çdo të rritur mbi 18 vjeç dhe u vaksinuan rreth 20 mijë persona.

Disa hezitojnë të bëjnë vaksinën dhe të tjerë hezitojnë të marrin vaksinën kineze. Megjithatë shkencëtarët thonë se të gjitha vaksinat sigurojnë mbrojtje që shmang shtrimet në spital dhe vdekjet nga koronavirusi i ri Sars-Cov-2.