Transmetuar më 16-07-2021, 14:30

Rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri nuk ka asnjë lidhje me bursën e Londrës apo konfliktin e Abu Dabit në OPEC.

Importuesit e karburanteve në Shqipëri, i rrisin çmimet të gjithë, në të njëjtën kohë, duke shkelur ligjin. Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar tregun në 2010, në 2015, në 2017 dhe 2020, duke ngritur shqetësimin e kufizimit të konkurrencës në këtë treg, që sjell çmime abuzive të këtij produkti.

Siç pritej, udhëheqësit e OPEC-ut, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë arritur një zgjidhje të ashtuquajturit  konflikt aktual të kuotave të eksportit. Për dy javë, tregu global i naftës u trondit nga pozicioni i fortë i marrë nga ndërmjetësit e energjisë së Abu Dhabit, i cili kërkonte kuotë më të lartë të prodhimit.

Burimet e OPEC tani kanë deklaruar se të dy vendet kanë arritur një kompromis mbi prodhimin.

Në fakt kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe çmimet e pompave në tregun e shitjes me pakicë.

Nafta e papërpunuar Brent tregtohej në Londër me 76,15 dollarë për fuçi dhe në USA me 74,79 dollarë për fuçi, pasi Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ranë dakord për zgjatjen e shkurtimeve të prodhimit të OPEC + deri në fund të 2022.

Nafta shqiptare importohet duke iu referuar çmimit Plats të Mesdheut dhe nuk ka të bëjë me naftën e papërpunuar.

Në dy dekadat e fundit kanë qënë të shumta shqetësimet për abuzime në tregun e karburanteve në Shqipëri, që fillonin nga mungesa e konkurrencës dhe vendosja e monopolit e deri tek çmimet abuzive në treg.

Hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut që nuk justifikojnë vlerën e shtuar që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri tek konsumatori fundor, duke shkaktuar rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët, kryesisht kur ulet çmimi në tregun ndërkombëtar.

Tregu i importit të karburanteve është gjithashtu mjaft i përqendruar, ku tre kompani zotërojnë mbi 80% të tregut.

Tregjet e karburanteve ka qenë disa herë objekt i hetimeve të mëparshme. Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin në tregun e karburanteve pa marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanive nën hetim.

Ndonëse zyrtarisht nuk ka fajtorë, hetimi ka konfirmuar se tregu nuk funksionon siç duhet dhe konsumatorët po paguajnë çmimin e konkurrencës së pamjaftueshme.

Tregu i parë në monitorim gjatë këtij viti është ai i prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto. Pas një hetimi të zhvilluar pranë Bankers Petroleum vitin e shkuar edhe gjatë këtij viti Autoriteti do të vijojë të monitorojë këtë treg dhe kryesisht me orientim kostot e naftës, prodhimin e saj, operacionet hidrokarbure dhe draft kontratat me rafineritë.

Rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve ishin përbërësit kryesor të inflacionit në muajin qershor, sipas INSTAT. Importet janë rigjallëruar gjatë muajit mars duke arritur nivelet e parakrizës.

Rritje më të lartë shënuan importet e karburanteve të cilat arritën rekorde historike gjatë gjithë periudhës së krizës deri në fund të marsit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, karburantet janë ndër kontributorët më të mëdhenj të të ardhurave buxhetore, sidomos në arkëtimet doganore nëpërmjet pagesës së akcizës, TVSH-së dhe taksave doganore.

Sipas analizës së 60 grup mallrave, për qindjen më të lartë të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zë karburant importi, me  23.7%.

Autoritetet janë të kënaqura nga të ardhurat, ndërsa konsumatorët e karburanteve vuajnë rritjen e pajustifikuar të çmimit.