Transmetuar më 12-07-2021, 19:17

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur nga goditja e një rrufeje në Indinë Veriore. Ngjarja ka ndodhur në një fortesë të shekullit të 12-të të qytetit Jaipur.

Viktimat ndodheshin në një nga kullat e fortesës, së njohur si atraksion turistik në momentin që janë goditur nga rrufeja.

Autoritetet indiane thanë se pjesa më e madhe e viktimave ishin të rinj, që në momentin që janë goditur nga rrufeja kanë qenë duke bërë selfie në kullën e fortesës.

Sipas dëshmitarëve, aty ku goditi rrufeja kanë qenë të pranishëm 27 persona. 16 prej tyre kanë gjetur vdekjen e menjëhershmë për shkak të shkarkesës së lartë elektrike, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar në spital në gjendje të rëndë.

India është një prej vendeve që regjistron numrin më të lartë të viktimave të shkaktuara nga rrufetë. Sipas autoriteteve janë 2000 deri në 2500 persona që humbin jetën brenda një viti, një shifër që thonë se është rritur me dy herë në krahasim me 50 vite më parë.

Vetëm të dielën nëntë persona humbën jetën nga goditjet e rrufesë në shtetin tjetër Rajasthan, përveç 16 personave të goditur në kështjellën e Jaipurit. Viktima janë regjistruar edhe në Uttar Pradesh, rreth 40 persona vetëm gjatë fundjavës që kaloi.

Në qytetin Firozbad dy burra humbën jetën teksa po qëndronin nën një pemë ku u goditën nga rrufeja.

Ekspertët thonë se numri i viktimave është i lartë në këto zona të indisë, sepse një numër i madh i njerëzve punojnë jashtë në bujqësi dhe ndërtim kur kapen nga stuhitë e fuqishme.

Pjesa më e madhe e viktimave regjistrohen nga muaji qershor deri në muajin shtator, kohë kur India përfshihet nga ato që njihet si musone, apo stuhi të mëdha shiu me reshje të vrullshme.

Autoritetet indiane thanë se vdekjet nga goditjet e rrufesë janë dyfishuar që nga vitet 1960 dhe një nga arsyet kryesore që ato përmendin është ngrohja globale.