Transmetuar më 12-07-2021, 17:05

Ndahet nga jeta në moshën 83 vjeçare poeti Uran Kostreci, i përndjekur nga regjimi komunist.

Urani u dënua më 15 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës “për tradhti ndaj atdheut”, nqë vitin 1961 kur ishte 23 vjeç.

Në vitin 1973, ai u ridënua me 8 vjet të tjera për “agjitacion e propagandë”, kur ishte në burgun e Burrelit. Pas 20 vjetësh në burg, ai u internua në vitin 1981 për 5 vite të tjera.

Kostreci ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist.

Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit.

Kush është Uran Kostreci!

Lindi më 1938, në Sarandë. Arrestuar 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi ‘për tradhti ndaj atdheut’, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi ‘se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit’ dhe se ka bërë ‘agjitacion e propagandë’, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981.

Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema ‘Epopeja e karkalecave’, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.

Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Uran Kostrecit

"Lajm shumë i trishtë largimi nga jeta i Uran Kostrecit. Për mua ka qenë privilegj ta njoh nga afër kampionin e qëndresës antikomuniste, këtë dëshmi të gjallë të asaj kohe të errët, një burrë që shumë vite i kaloi në kalvarin e burgjeve komuniste, por që nuk u përkul kurrë në idetë e tij për lirinë.

Urani i bëri regjimit komunist qëndresë me poezitë e tij, e deri ditën e fundit jetoi si shpirt i lirë, me dëshmitë dhe poezitë e tij, që në çdo rresht ishin dëshmi e një zemre të madhe, pa mëri e plot dëshirë për të dhënë më të mirën nga vetja. Do të na mungosh, u prehsh në paqe Uran!