Transmetuar më 11-07-2021, 20:42

Një rast i parë dhe i vetëm është konfirmuar nga autoritetet shëndetësore të Belgjikës, ku një grua e moshuar rezultoi se ishte infektuar njëherësh nga dy persona të ndryshëm, nga njëri me mutacionin anglez Alfa dhe nga tjetri me llojin Beta të Afrikës së Jugut.

Për pasojë, gruaja 90 vjeçare e cila nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese kronike, humbi jetën.

"Ky është një rast i parë i dokumentuar i bashkë-infeksionit me dy variante shqetësuese të SARS-CoV-2", tha biologia molekular Anne Fankerbergen, i cili kreu studimin, që nga data 3 mars 2021 kur pacientja u shtrua në një spital në qytetin belg Aalst.

Këshilli Evropian i Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive. ECCMID, tha se pacientja doli pozitive për koronavirusin e ri Sars-Cov-2 kur mbërriti në spital. Fillimisht ajo kishte "një nivel të mirë të ngopjes me oksigjen dhe nuk tregonte shenja të vështirësisë së frymëmarrjes", tha ECCMID, citon noa.al.

Megjithatë, "ajo shpejt zhvilloi një përkeqësim të simptomave në mushkëri dhe vdiq pesë ditë më vonë," shtoi deklarata.

Sipas biologes së spitalit në Aalst, Fankerbergen, pas një ekzaminimi të plotë dhe analizës së gjenomës së virusit, spitali zbuloi se 90-vjeçarja ishte infektuar nga dy llojet e SARS-CoV-2 Alpha dhe Beta.

"Të dy llojet e mutuara po qarkullonin në Belgjikë në atë kohë (Mars 2021), kështu që është e mundur që virusi të jetë transmetuar tek kjo grua nga dy persona të ndryshëm. "Për fat të keq, ne nuk e dimë se si ajo ishte infektuar," pohoi Fankerbergen.

Varianti i llojit Alpha u raportua për herë të parë tek Organizata Botërore e Shëndetësisë në 14 Dhjetor 2020 dhe varianti i llojit Beta në 18 Dhjetor. Këto mutacione përhapën përkatësisht në rreth 50 dhe 40 vende.

Deri më sot, "asnjë rast tjetër i bashkë-infektimit me dy lloje të koronavirusit të ri nuk është raportuar", – tha studiuesi Fankerbergen. Ai shtoi se është "nevojë kritike" për të analizuar më tej gjenomin dhe për të studiuar një fenomen "mjaft të nënvlerësuar". /noa.al