Transmetuar më 09-07-2021, 09:45

Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë janë hedhur sërish në protestë sot duke kërkuar që të lirohen nga burgu kolegët e tyre të arrestuar për korrupsion.

Mjekët kanë dalë dhe me një kërkesë të re. Ata bëjnë thirrje që shqiptarët ti japin fund atij që ata e quajnë gjyq popullor që po u bëhet lidhur me dukuritë e korrupsionit, mitmarrjes dhe ryshfetit, që nga këta mjekë shihen si bakshishe.

"Drejtësia po kalon cakun e të drejtave qytetare. Të mos bëhet gjyq popullor për mjekët. Të gjenden prova dhe pastaj të mbahen në burg. Nuk jemi dakord për aktin e mitmarrjes”, deklaroi mjeku Gent Stroni në emër të kolegëve të tij.

Më herët dje, në ditën e parë të protestës, mjekët pranuan se marrin lekë nën dorë, pa përmendur shifrat që marrin. Për më tepër ata kanë theksuar publikisht se do të linin menjëherë punën nëse nuk do të merrnin më lekë nën dorë.

Sakaq ata kanë dalë dhe me një propozim. Mjekët sugjerojnë që lekët që atyre u jepen nën dorë, të dorëzohen në recepsionet e spitaleve dhe më pas tu jepen mjekëve(!)