Transmetuar më 07-07-2021, 22:50

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti thotë se varianti “Delta” i COVID-19 është 40% më i transmetueshëm në krahasim me variantet e tjera.

Në një intervistë ai shprehet se ndonëse transmetueshmëria mbetet e lartë, simptomat e këtij varianti janë më të lehta dhe nuk ka vend për frikë dhe panik.

Simptomat kryesore të variantit “Delta”, thotë z. Alimehmeti, janë dhimbje koke, dhimbje grykësh dhe rrjedhje sekrecionesh nga hundët.

Mjeku pohon se ata që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës për COVID-19 janë më të mbrojtur nga variantet e reja.

Ministria e Shëndetësisë deri tani nuk e ka konfirmuar prezencën e variantit “Delta” në Shqipëri, por mjeku Alimehmeti bën apel për kujdes.

“Edhe mund të jetë (varianti ‘Delta’ i COVID-19). Duhet të jemi të kujdesshëm, por sinjale alarmi të mëdha për momentin nuk ka”, shton ai, duke paralajmëruar se ulja e temperaturave gjatë stinës së vjeshtës mund të ndikojë në përkeqësim të situatës epidemiologjike.