Transmetuar më 06-07-2021, 19:59

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, teksa raportohet se një punëtor ka rënë nga një objekt ku ishin duke u kryer punime. Sipas mediave kosovare, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sylejman Vuçitërna” në Lagjen Kalabria në Prishtinë, kur punëtori ka rënë nga kati i katërt i ndërtesës ku po punonte.

Lajmin e ka konfirmuar për mediat kosovare, Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës, i cili bën me dije se viktima është një 44 vjeçar, i cili menjëherë pasi ka rënë, është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Njoftimi i Policisë së Kosovës:

“Rasti ka ndodhur rreth orës 17:45 në rrugën “Sylejman Vuçitërna” në Prishtinë. Viktima mashkull, 44 vjeç, përderisa ka qenë duke kryer punime në një objekt, ka rënë nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime. I njëjti individ është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar Borovci.