Qeveria dështoi të kryejë 1 milion vaksinime edhe pse hoqi kufizimet për të gjithë shqiptarët
Transmetuar më 01-07-2021, 03:26

Qeveria dështoi të realizojë objektivin e shpallur më herët që deri më 30 qershor 2021 të kishte realizuar jo më pak se 1 milion vaksinimi.

Dështimi erdhi edhe pse si kurrë më parë që nga nisja e vaksinimit masiv, u liberalizua plotësisht mundësia e vaksinimit në ditët e fundit të qershorit. Kushdo mund të shkonte në çdo qendër vaksinimi dhe të merrte dozën, por dukshëm ngurrimi ishte i lartë.

Në 29 qershor u kryen 12 mijë vaksinime dhe e njëjta shifër u përsërit edhe ditën tjetër, 30 qershor. Është e paqartë sesa prej tyre morën dozën e dytë.

Qeveria, duke parë në javën e fundit të qershorit, se po dështonte të arrinte objektivin 1 milion, vendosi të heqë të gjitha fushat moshore.

Ajo bëri thirrje që qytetarët 18 vjeç e lart të regjistroheshin në e-Albania kurse më pas ftoi këdo që vetëm me një mjet identifikimi të shkonte direkt në qendrat e vaksinimit.

Por megjithatë vetëm 24 mijë doza u bënë ndërkohë që në javët e para të vaksinimit masiv kjo shifër u arrit edhe brenda një dite.

Disa që u paraqitën në qendrat e vaksinimit thanë se ngurruan ta injektojnë pasi më së shumti bëhej vaksina kineze turke CoronaVac si dhe ajo ruse Sputnik V, të cilat nuk njihen nga BE dhe sidomos për studentët krijojnë pamundësi lëvizjeje.

Edhe pse objektivi 1 milion nuk u arrit pasi në total shkoi në 968 mijë e 34, nisma ishte ambicioze në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Duket se një sensibilizim i qytetarëve është i nevojshëm për të nxitur rritjen e njerëzve të vaksinuar. /a.b/noa.al