Transmetuar më 30-06-2021, 21:56

Më 1 korrik hyn në fuqi faza e dytë e fiskalizimit. E thënë ndryshe, nuk do të lejohen më transaksionet me para në dorë ose “cash” mes bizneseve. Por, ato do të bëhen duke lëshuar faturë elektronike. Ky proces synon uljen e informalitetit në ekonomi dhe evidentimin e xhiros së saktë të bizneseve në kohë reale, duke lëshuar faturë për çdo shit-blerje që bëjnë. Por, për t’u fiskalizuar, një biznes duhet të ndjekë disa hapa, të cilat shoqërohen edhe me kosto.

Më 1 janar, procesi i fiskalizimit nisi me bizneset që kryenin transaksione me institucionet shtetërore. Nga 1 korriku, fiskalizimi shtrihet për transaksionet mes bizneseve dhe nga 1 shtatori edhe për traksasionet mes bizneseve dhe konsumatorëve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në fazën e parë u fiskalizuan 7690 biznese. Ndërsa mijëra të tjerë pritet të fiskalizohen në fazën e dytë. Deri më tani, janë pajisur me certifikatën elektronike për t’u fiskalizuar 18 500 biznese, ndërsa në total janë 34 000 subjekte që duhet t’i nënshtrohen këtij procesi.

Fiskalizimi ka ngjallur diskutime, me argumenta pro dhe kundër. Një pjesë e bizneseve dhe ekspertëve kontabël kanë kërkuar madje shtyrjen e afatit. Ndërsa Ministria e Financave pritet të publikojë një Akt Normativ që fal gjobat për kompanitë që nuk do të jenë gati për t’u fiskalizuar brenda afateve ligjore të përcaktuara tashmë.

E ftuar në “A2 Business”, Drejtoresha e Përgjithshme të Tatimeve, zonja Delina Ibrahimaj, u shpreh: “Ne presim që të shtohet ditë pas dite numri i bizneseve që fiskalizohen. Sot që flasim ka një stok prej 4000 subjektesh që ende nuk e kanë marrë certifikatën elektronike, por është fluks i përballueshëm dhe të gjithë do të pajisen me këtë certifikatë”.

Sa i përket kundërshtimeve për fiskalizimin, Ibrahimaj tha: “Çdo reformë ka përballjet e veta. Kjo reformë do të ketë vështirësitë e veta në impementim dhe jam e bindur se edhe po të shtyhej sërish afati, kur të vinin ditët e fundit do të kishte sërish problematika. Qasja e administratës tatimore ndaj subjekteve nuk do të jetë penalizuese. Nuk do të ketë gjoba gjatë këtij viti për gabime në procesin e fiskalizimit. Ne do të ndjekim të gjitha bizneset në këtë proces dhe do t’i ndihmojmë me trajnime online dhe këshilla”.

Kur u pyet nëse do të ketë kosto financiare shtesë biznesi nga fiskalizimi, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve u përgjigj: “Patjetër që do të ketë kosto, por janë kosto të ngjashme me koston që paguhej për mirëmbajtjen e kasave. Flas këtu për biznesin e vogël. Kostoja është 100 euro pajisja, 40 euro printer elektronik dhe 4800 lekë nënshkrimi elektronik. Pra, nuk është një kosto aq e lartë sa e kishim parashikuar. Kjo bëhet një herë, më pas mirëmbajtja bëhet në varësi të asaj çfarë kërkohet”.