Transmetuar më 30-06-2021, 13:47

Qytetarët e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi do të mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian edhe për arsye jo të domosdoshme.

Shtetet anëtare të BE-së u pajtuan të mërkurën me propozimin e bërë nga Presidenca portugeze. Vendimi që pritet të hyjë në fuqi deri në fund të javës së ardhshme, nënkupton se shtetasit e këtyre vendeve, përfshirë ata që nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të udhëtojnë në vendet e bllokut.

Heqja nga lista e kuqe e udhëtimeve bëhet për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në këto tri shtete. Ndërkaq, para dy jave, në listën me rrezik të ulët nga COVID-19 ishin përfshirë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

BE i përditëson listat çdo dy javë në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend. Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistroj deri në 75 infektime për 100 000 banorë, në 14 ditët e fundit.