Transmetuar më 30-06-2021, 08:48

Dalin sot në qarkullim prerjet e reja të kartmonedhave.

Banka e Shqipërisë hedh në treg dy prerjet e reja të kartëmonedhave, ajo 1.000 lekë dhe preja 10.000 mijë lekë që vjen për herë të parë në tregun shqiptar. Në të dyja kartëmonedhat janë me elemente të shtuara sigurie dhe të integruara me elemente kombëtare.

Kartëmonedha 1 mijë lekë që e kemi në përdorim çdo ditë, është me të njëjtat elemente kombëtare por me elemente të stilizuara, hologram dhe fill sigurie për të bërë të pamundur falsifikimin e saj. Ndërsa kartëmonedha 10 mijë lekë që është risi e serisë së re, është me portretin e poetit Asdreni i cili ka bërë edhe Himnin Kombëtar. Kjo prerje ka një varg të himnit dhe një sërë elemente sigurie.

Kartëmonedhat e reja do të jenë në qarkullim së bashku me ato ekzistuese dhe do të mund të përdoren nga bankat, bizneset dhe qytetarët si mjet pagese me kurs ligjor. Ndërsa lidhur me prerjet e reja, guvernatori i bankës Gent Sejko është shprehur se vijnë si rezultat i rritjes ekonomike dhe i rritjes së rrogave. Kështu në këtë mënyrë Sejko tha se do të lehtësohej portofoli i shtetasve shqiptarë.