Transmetuar më 18-06-2021, 20:27

Ashtu si Edi Rama pak javë më parë që ftoi për një kafe çunat e Tropojës duke i sjellë nga Londra në Kukës pasi hidhnin batuta në Facebook, edhe Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka vepruar pak a shumë kështu.

Kur një komentues nga Tropoja e quajti kineze në Instagram, Yuri Kim e ftoi për kafe në Ambasadë.

Dhe kështu ka bërë, Kim e ka takuar pasditen e sotme Fisartin, komentuesin që e quajti “kineze” në një koment në “Instagram”.

Ambasadorja e SHBA ka ndarë në rrjetet sociale një foto ku shihet me djalin nga Tropoja.

Kim ka treguar copëza të bisedave me Fisartin, nga i cili tha se ka dëgjuar mbi komunizmin, si dhe kanë ndarë mendime të përbashkëta për nevojën e barazisë para ligjit dhe sfidat e tjera me të cilat përballen shqiptarët.

“Javën e kaluar Fisarti bëri një koment për “miqësinë shqiptaro-kineze” që më çuditi. Kështu e ftova për kafe. Ai pranoi. Sot u ulëm jashtë, në diell, pimë kafe dhe biseduam për komentin, por edhe për shumë gjera të tjera. Ne diskutuam për origjinën dhe se si kjo na ka formuar (Fisarti është nga Tropoja, një vend që unë kam rënë në dashuri kur e kam vizituat muajin e kaluar, ndërsa unë vij nga një mal i Koresë, por jam rritur në një ishull tropikal).

Unë mësova pak më shumë për të shkuarën e shqiptarëve dhe u çudita kur Fisarti më tregoi se si Enver Hoxha kontrollonte gjithçka, financat, fenë, punët, por ai nuk mund të kontrollonte shpirtin njerëzor. Ne gjithashtu diskutuam për sfidat me të cilat përballen shqiptarët dhe ramë dakord që ligji dhe barazia përballë ligjit është i rëndësishëm që të gjithë shqiptarët jo vetë elita të ketë një punë, të kujdeset për familjet dhe të kontribuojnë plotësisht në të ardhmen e shtetit”, shkruan Kim në “Intsagram”.

Nga replika te ftesa për kafe

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim u përfshi në një replikë të pazakontë në rrjetet sociale me komentuesin, që e etiketoi si ‘kineze’, etiketim që shumë komentues komentues e panë si koment racist.

Yuri Kim postoi në 7 qershor foto me këngëtaren, Ermira Babaliu në qytetin e Pogradecit, ndërkohë që një prej ndjekësve të saj në Instagram shkruajti për dashurinë “shqiptaro-kineze”.

‘Dashuria Shqiptaro-Kineze është një histori e vjetër dhe e bukur”, shkruan me ironi, komentuesi në “Instagram”.

Nga ana tjetër, Ambasadorja e SHBA-ve, i ktheu përgjigje ndjekësit të saj, madje ka shkuar më tej duke e ftuar atë ftuar për një bisedë në zyrën e ambasadës Amerikane. Në mesazhin e saj, Kim thekson se do e sqaronte ndjekësin për Kombin e saj, ndërkohë që ai duhet t’i tregonte pse mendonte se ajo ishte ‘kineze’.

“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’iu tregoj për historinë krenare të vendit tim si një “Komb i Emigrantëve”, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam “kineze. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, shkruan në replikën e saj, ambasadorja.

Pas ftesës për një kafe dhe një bisedë në ambasadë, komentuesi e konsideroi vetën si njeriun më me fat në Shqipëri.

“Jam njeriu më me fat në Shqipëri! Askush nuk ka marrë një ftesë publike nga Ambasada Amerikane për një kafe dhe një bisedë të sinqertë! Unë e vlerësoj shumë ftesën tuaj zonjë, ne do të flasim për kulturat tona dhe të tjera. Zoti bekoftë Amerikën.”, shkruan komentuesi.