Transmetuar më 18-06-2021, 16:10

Policia në portin e Durrësit zbuloi dhe sekuestroi sot rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, duke arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike.

Kontrolli që çoi në zbulimin 3 milionë euro erdhi në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, Nazif Ajrofski, 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut..

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.