Transmetuar më 18-06-2021, 06:51

Ish-presidenti i Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani, një ndër emrat kryesorë të PS për shumë vite, shprehet i shqetësuar për vendimin që mori mazhoranca e majtë që të shkarkojë Ilir Metën.

Mejdani e quan më së paku një vendim të nxituar duke u shshprehur qartë kundër shkarkimit të Metës.

Ai vlerëson se para një vendimi të tillë duhej menduar me maturi.

Komentet e Meidanit u bënë të enjten pas një aktiviteti të një organizate joqeveritare. Ai u pyet nga Euronews: “Si po e shihni situatën politike?”.

Meidani u shpreh: “Të trishtueshme”. Ndërsa iu kërkua një koment për shkarkimin e Metës, tha: “Këtë pyetje bëjani Partisë Socialiste. Për mua duhet menduar shumë mirë para se të akuzohet presidenti”.

“Unë shpresoj që Gjykata Kushtetues të marrë vendimin e duhur”, shtoi Meidani.

Më 9 qershor Kuvendi i Shqipërisë votoi me 104 vota pro, 7 kundër dhe tre abstenim për shkarkim të Ilir Metës.

Për herë të parë në 30 vjet pluralizëm Parlamenti i Shqipërisë shprehet për shkarkimin e një kryetari shteti. Tanimë verdiktin final lidhur me çështjen do ta thotë Gjykata Kushtetuese.