Transmetuar më 17-06-2021, 14:04

Një 45 vjeçar është kapur nga policia italiane me qëllim ekstradimi pasi shihet si përgjegjës për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të një shtetaseje greke për shumën marramendëse prej 1.8 milionë euro ose 1 miliard e 460 milionë lekë të vjetra përfitim.

Noa.al konfirmoi sot se Besnik Sadikaj është arrestuar nga autoritetet policore italiane, me qëllim ekstradimin Athinës e më pas drejt Shqipërisë, pasi ka qenë i shpallur në kërkim nga Interpol Athina për pengmarrje dhe nga Interpol Tirana për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale. Ai ka një dënim shtatë vjet burgim për të vuajtur.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në vitin 2014, e ka dënuar me 7 vjet heqje lirie, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, raporton noa.al.

Gjykata tha se u provua që Besnik Sadikaj, gjatë periudhës 2009-2010, ky shtetas ka hapur disa llogari në banka të nivelit të dytë në Shqipëri, në shuma të konsiderueshme në euro, të ardhura të cilat nuk ishin justifikuar me burime të ligjshme.

Gjithashtu, Besniku dhe disa shtetas të tjerë janë dënuar në shtetin grek, pasi në bashkëpunim dyshohen për marrjen peng të një shtetaseje greke, në këmbim të shumës 1.800.000 euro.