Transmetuar më 17-06-2021, 09:31

Prania e antitrupave kundër një virusi nuk garanton që ne të jemi të mbrojtur nga infeksioni. Megjithatë disa të mbijetuar të koronavirusit të parë SARS kanë pasur antitrupa ndaj SARS origjinal për më shumë se dhjetë vjet

Tiranë, 17 qershor 2021 noa.al – Gjithnjë e më shumë njerëz kanë antitrupa kundër SARS-CoV-2, ose sepse e kaluan kovidin ose sepse janë vaksinuar. Dhe në të dy rastet, megjithë dyshimet fillestare shkencore, ne tani e dimë se prania e antitrupave zgjat për më shumë se një vit. Dhe dimë me siguri për një vit, e jo për 3 muaj siç flitej vjet, sepse vetëm një vit e pak muaj ka që jemi në pandemi.

Sakaq ka studime imunologjike të kohëve të fundit që bëjnë të qartë se ky imunitet mund të zgjasë shumë më gjatë, me vite të tëra, citon noa.al një speciale të gazetës së përditshme spanjolle El Pais.

Lajmi i mirë është se këto studime nuk janë teorike. Ato bazohen dhe në faktin se shumë njerëz që mbijetuan pas infektimit me koronavirusin e parë Sars, patën antitrupa kundër tij për më shumë se dhjetë vjet sipas matjeve 2005-2015.

Nuria Izquierdo-Useros është mjeke e specializuar në biologji. Ajo është kryetare e grupit të patogjenëve në IrsiCaixa. Mjekja jep informacion për pyetjen që mundon shumë njerëz,  se sa antitrupa duhet të kemi që të jemi të qetë.

Që në fillim Useris thotë se "ajo për të cilën duhet të jeni shumë të qartë është se prania e antitrupave kundër një virusi nuk garanton që ne të jemi të mbrojtur nga infeksioni. Që antitrupat të sigurojnë mbrojtje, duhet të jenë në gjendje të çarmatosin virusin, prandaj, nuk mjafton të kemi antitrupa, por ato duhet të jenë aktivë kundër virusit. Ndaj çështja nuk është thjesht të kesh apo jo antitrupa, por të kesh antitrupa neutralizues.

Mjekja thekson se "nëse përcaktojmë vetëm sasinë e antitrupave që kemi, ato të dhëna nuk do të na tregojnë nëse këto antitrupa kanë veti mbrojtëse apo jo".

Për të përcaktuar nëse ka antitrupa mbrojtës ose neutralizues, është e nevojshme të bëhen analiza laboratorike.

Në këto analiza, antitrupat vihen në kontakt me SARS-COV-2 ose me një nga variantet e tij dhe analizohet aftësia e tyre për të parandaluar hyrjen e virusit në një qelizë njerëzore.

Por kjo teknikë kërkon shumë kohë dhe zakonisht bëhet në provat klinike, për shembull për të studiuar efikasitetin e një vaksine ose për të parë nëse vaksinat ekzistuese funksionojnë po aq mirë kundër varianteve më të reja të virusit.

Mjekja sqaron se kjo nuk është një teknikë diagnostike që mund të përdoret për të analizuar cilësinë e imunizimit të një personi, por përdoret vetëm brenda kornizës së studimeve kërkimore.

E thënë më qartë, askush mos gënjehet nga klinikat dhe laboratorët nëse u thonë se mund të nxjerrin nga testet e tyre se sa efektive i kanë antitrupat.

Nuria Izquierdo-Useros

Mjekja pohon se e kupton që për njerëzit kjo është zhgënjyese, por shton se secili duhet të jetë i qartë dhe i mirinformuar për pandemi të tilla.

Përveç faktit se identifikimi i antitrupave neutralizues bëhet vetëm si më sipër, ne ende nuk e dimë se sa antitrupa neutralizues janë të nevojshme për t’u mbrojtur plotësisht, shton mjekja.

Ka studime në disa kafshë, që sugjerojnë se mund të mos duhen shumë antitrupa për të pasur mbrojtje ndaj kovidit, por mjekja këmbëngul se për të arritur në një qëndrim final duhen më shumë kërkime.

Mjekja thekson se gjithë çelësi është që të zbulohen antitrupa kundër spikulës së virusit, dhe më saktësisht kundër vendit ku virusi lidhet me receptorin e tij qelizor, i cili është porta që përdor SARS-CoV- 2 për të infektuar një qelizë.

Të dhënat që na japin më mirë një ide se si janë të mbrojtur njerëzit me antitrupa pa vaksinim, vijnë nga studimi i rasteve të ri-infektimit. Kështu, te punonjësit e spitaleve ku virulenca është më e lartë, u provua se kalimi i kovidit zvogëlon rrezikun e ri-infektimit me 84%, një përqindje që rritet në 93% për ata që fillimisht kishin një infeksion me simptoma.

Vaksinat, nga të tilla si Pfajzer e Moderna thuhet se janë mbi 93 për qind të sigurta, por askush nuk jep dot më shumë se 80 për qind sepse njerëzit që vaksinohen zhvillojnë rreth 80% mbrojtje ndaj infeksionit. /klea/noa.al