Transmetuar më 17-06-2021, 07:59

Me siguri ju ka rastisur dhe ju në market apo lokal kur fëmija i mitur kërkon Coca-Cola apo Pepsi se ka parë reklamat e tyre marramendëse dhe prindërit që u tërheqin vëmendjen duke u pohuar se nuk duhet të pinë të tilla pije të gazuara.

Tani, duket se frika është thyer edhe nga ata që mbahen me sponsorizimet e fuqishme të këtyre kompanive.

Ronaldo guxoi i pari që të flakë shishet e Coca-Colës dhe të bëjë thirrje që njerëzit të pinë ujë.

Efekti ishte i menjëhershëm. Aksionet e Coca-Cola ranë të paktën 1.6 për qind, raportuan mediat botërore, me pasojë humbje deri në 5.2 miliardë dollarë.

Në fakt efekti është dukur edhe këtu në Shqipëri. Një vox pop që noa.al realizoi dhe me qytetarë të Tiranës,  Durrësit dhe Elbasanit në markete dhe lokale, nxori në pah efektin e shpejtë të bojkotimit që Ronaldo apeloi.

Noa.al pyeti disa prindër dhe të mitur, përfshirë dhe adoleshentë në moshë mbi 18 vjeç. Pjesa më e madhe e tyre thanë se ishin ndërgjegjësuar nga thirrja dhe xhesti i Ronaldos. Disa shtuan se tani po fillojnë të kuptojnë se realiteti nuk është te reklamat e këtyre kompanive dhe vip-ave që përfshihen në to.

Disa të tjerë thanë se tani e kanë më të thjeshtë të bindin fëmijët që mos pinë Coca-Cola dhe Pepsi, si produkte që nuk kanë kurrfarë vlere ushqimore dhe që për shumë mjekë janë pije të dëmshme për cilindo njeri.

Nga ana e saj Coca-Cola reagoi duke thënë se, të gjithë kanë të drejtë ta zgjedhin pijen e parapëlqyer.

Pak ditë pasi Cristiano Ronaldo i Portugalisë i largoi dy shishet e Coca-Colës nga tavolina e një konference për media, kompania sponsore e Euro 2020, tha se lojtarët mund të zgjedhin çfarë të pinë.

Gjithçka nisi kur ylli botëror i futbollit, sulmuesi 36-vjeçar, i kujdesshëm pas shëndetit, u ndje i fyer pasi pijet e gazuara u vendosën në tavolinën e tij para se ai të mbërrinte për intervistë të hënën. Ai i zhduku të dyja shishet dhe iu bëri thirrje tifozëve të pinë ujë në vend të tyre.

Ylli i Juventusit e bëri atë veprim në konferencën për media para ndeshjes së Portugalisë kundër Hungarisë në turneun e verës, të cilën e fituan portugezët 3:0.

Veprimi i Ronaldos duket se ka krijuar efekt zinxhir sepse edhe Pogba hoqi nga tavolina birrën Heineken në konferencën për shtyp.