Transmetuar më 17-06-2021, 06:31

Franca vendosi të shfuqizojë vendimin e mëparshëm për orën policore duke vlerësuar se situata pandemike është nën kontroll me rreth 3500 raste ditore ose dhjetë herë më pak se periudhën e pikut.

Vendimi bën që nga e diela qarkullimi të jetë si më parë, pa asnjë kufizim pas tetë muajsh të vështirë.

Nga sot hiqet dhe detyrimi për maskën.  Ajo do të rekomandohet të mbahet vetëm në vende të mbushura me njerëz, të tilla si tregjet në rrugë dhe stadiumet.

Kryeministri Jean Castex tha se situata në Francë është duke u përmirësuar shumë më shpejt sesa pritej dhe se francezët janë duke përjetuar “një kthim në jetën normale”.

Mbi 58% e popullsisë së rritur të Francës ka marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Të martën, vaksinimi është hapur edhe për fëmijët e moshave 12-18 vjeç.

Franca ka regjistruar gjithsej 110,563 viktima nga koronavirusi – një nga shifrat më të larta në Evropë.