Transmetuar më 16-06-2021, 20:14

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord sot, të Mërkurën 16 Qershor, të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, lista përfshin gjithashtu Shtetet e Bashkuara, Hong Kong, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Sidoqoftë, pavarësisht nga vendimi, çdo Shtet Anëtar mund të vazhdojë të kërkojë një test negativ për COVID-19 ose të imponojë një periudhë karantine. Gjithashtu secili vend ka të drejtë të vendosë nëse do të lejojë qytetarët e vaksinuar me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave apo edhe ato të miratuara për përdorim emergjent nga OBSH, si kinezet CoronaVac e Sinovac dhe ajo e Sinopharm.

Kushti i vetëm që ka vënë BE në vendimin e sotëm është që secili vend duhet të regjistrojë deri në 75 raste pozitive për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.

Shqipëria ka dy muaj që ka vetëm deri 4 raste për 100,000 banorë në dy javë, ose 16 herë më pak se minimumi i vendosur nga Bashkimi Europian për të lejuar lëvizjen e lirë.

Tani lind pyetja, a do ta përfillë Greqia vendimin e BE. Për të kuptuar këtë, agjencia e lajmeve NOA kërkoi nga ambasada greke në Tiranë që të informojë se si do të veprojë dhe mbetet ende në pritje të një përgjigjeje.

Sot, noa.al iu drejtua me të njëjtën pyetje dhe ambasadës italiane e cila në një përgjigje për lexuesit e NOA tha se kufizimet mbeten në fuqi për sa kohë nuk ka shqyrtim të vendimit të BE nga autoritetet italiane.

Foto: Ambasada greke në Tiranë, foto e ambasadës në FB

Lexoni dhe: BE hoqi kufizimet për Shqipërinë, ambasada italiane përgjigjet për NOA: Mbyllja e kufijve mbetet në fuqi