Transmetuar më 16-06-2021, 09:21

Një parashutist gati u përplas me tifozët dhe lojtarët në “Allianz Arena”, përpara ndeshjes së të martës për “Euro 2020” midis Francës dhe Gjermanisë.

Me ekipet që po bënin nxehjen në fushë përpara fillimit të lojës, parashutisti fluturoi brenda stadiumit dhe u zhvendos në mënyrë të rrezikshme pranë tifozëve në tribuna, para se të ulej në fushë.

Personi ishte një aktivist nga organizata mjedisore “Greenpeace” dhe kishte një mesazh në parashutë: "Kick Out Oil". Menjëherë ndërhyri siguria e stadiumit dhe autoritetet pas uljes së pakontrolluar në fushë.

Në një deklaratë të postuar në Twitter, “Greenpeace” shpjegoi se parashutisti synonte të protestonte ndaj sponsorit të “Euro 2020”, Volkswagen dhe varësisë së saj nga lëndët djegëse fosile.

Sipas transmetuesit gjerman ARD, parashutisti dëmtoi pajisjet teknike gjatë uljes, pasi u ngatërrua nëpër kabllot e transmetimit “live”, që lidhnin kamerën me çatinë e stadiumit dhe gjithashtu plagosi një teknik ndriçimi, i cili duhej të trajtohej nga stafet mjekësore në vend.

Një video e bërë nga brenda stadiumit të Mynihut tregon parashutistin që fluturon mbi fushë, papritmas ndryshon drejtimin dhe humbet kontrollin, pasi goditi një pengesë, lëkundet shumë pranë tribunave, para se të rimarrë kontrollin dhe të ulet në fushën e lojës.

Mbrojtësit e Gjermanisë, Antonio Rudiger dhe Mats Hummels nxituan të largoheshin nga parashutisti, pa ditur se çfarë rreziku sillte me vete. Sidoqoftë, menjëherë ndërhyri siguria e stadiumit, që e vuri personin nën kontroll. /fredi/noa.al