Pas Ronaldos me Coca-Cola, edhe Pogba flak birrën Heineken para gazetarëve
Transmetuar më 16-06-2021, 10:37

Cristiano Ronaldo me sa duket ka startuar një “trend”, që po shqetëson seriozisht sponsorët e “Euro 2020”. Pak ditë pasi ylli i futbollit hoqi Coca-Cola nga tavolina e konferencës për shtyp duke apeluar që të pihet ujë dhe jo këto lloj pijesh, vjen një tjetër befasi, Pogba mënjanon Heineken.

Super ylli francez, Paul Pogba, përsëriti “marifetin” e Ronaldos, pas fitores 1-0 ndaj Gjermanisë.

Gjatë konferencës për shtyp, pas ndeshjes, në “Allianz Stadium”, Pogba hoqi një shishe Heineken nga tavolina, në mënyrë të ngjashme si portugezi e vendosi atë larg syve të kamerave.

Kujtojmë se birra Heineken është partner zyrtar i “Euro 2020”.

Çfarë ndodhi më herët

Para ndeshjes debutuese të Portugalisë në këtë Europian (kundër Hungarisë), Ronaldo vendosi që dy shishe qelqi Coca-Cola t’i largonte nga zona e tij, në tryezën e konferencës për shtyp.

Pasi largoi shishet nga tavolina dhe i vendosi larg syve të tij, 36-vjeçari mori në dorë një shishe me ujë, duke e mbajtur atë lart dhe duke këshilluar: "Pini ujë, jo atë…"

Mediat raportuan se aksionet e Coca-Cola ranë me 1.6 për qind në vlerë, pas “marifetit” të Ronaldos. Kjo përbën një rënie vlere tregu me afërsisht 5.2 miliardë dollarë.

Coca-Cola lëshoi një deklaratë në përgjigje të veprimit të Ronaldos, duke thënë se "të gjithë kanë të drejtë për preferencat e tyre të pijeve dhe të gjithë kanë shije e nevoja të ndryshme”. /fredi/noa.al