Transmetuar më 16-06-2021, 08:26

Drejtori i OST në Fier, Andi Prifti, 38 vjeç dhe inxhinieri i OST Fier, E. L., 38 vjeç, që të dy banues në Fier, janë vënë në pranga për vdekjen e dy punonjësve në krye të detyrës.

Policia tha se specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Fier kryen arrest në flagrancë për veprën penale "Shpërdorim detyre", raporton noa.al.

"Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë urdhëruar punonjësit e tyre të kryejnë punime në mënyrë të kundraligjshme në linjën 110 KV në Jagodinë, Fier", ku si pasojë kanë gjetur vdekjen gjatë punimeve shtetasit Gjergji Duka, 50 vjeç, banues në Kuçovë dhe Bashkim Saliasi, 64 vjeç, banues në Mallakastër, punonjës të Njësisë Operative Fier.

Më herët, dje pas ngjarjes, Drejtori i OST Andi Prifti tha se dy elektricistët ishin në punë dhe janë vrarë nga shtylla që “është këputur në mes”.

Sipas informacioneve OST po kryente zëvendësimin e linjës së tensionit të lartë që lidhet nëpërmjet shtyllave te amortizuara duke e vendosur në shtylla të reja dhe në zonë janë edhe disa shtylla të tilla.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për hetime të mëtejshme.

OST dhe OSHEE janë ndërmarrjet publike me bilanc të rëndë të aksidenteve në punë. Vetëm gjatë fillimit të vitit 2021, gjashtë lektricistë kanë humbur jetën në Gjirokastër dhe në Fier, ku po punohet për ndërtim linjash të reja.

Mariglen Andrea, drejtor i Inspektoratit të Punës në Fier tha dje para se sot të njoftoheshin arrestimet se ata do të hetonin ngjarjen. “Ne po dërgojmë inspektorët në vendngjarje për të këqyrur rrethanat dhe kushtet e sigurisë. Më pas do kemi një raport”, tha  Andrea.