Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) ka publikuar në faqen e saj zyrtare këtë vendim për uljen e kufirit minimal të pikëve për çdo notë për testin e Matematikës në Maturën Shtetërore.
Pubilikimi që gjeni këtu erdhi pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i cili u bë i ditur nga Ministrja Evis Kushi.
Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve, dhe pa dyshim duke konsideruar situatën e një viti jo normal e të vështirë të pandemisë, ku pavarësisht se maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua online, Ministria e Arsimit vendosi pardje të plotësojë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se pas përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore 2021, MASR do të bëjë një analizë të thellë, me qëllim identifikimin e të gjitha problematikave të mundshme dhe rishikimin e plotë të të gjithë procesit të maturës, akteve rregullatore për këtë proces dhe administrimin e tij.
Ditët e fundit, maturantët protestuan para Ministrisë së Arsimit për testin e lëndës së Matematikës, për të cilin thanë se kishte nivel të lartë vështirësie si dhe pyetje që nuk i kishin zhvilluar gjatë tre viteve të gjimnazit.